Friday, December 27, 2013

Ilirët

Shthurja e bashkësisë primitive shek. XI - V p.K

Burimet historike dëshmojnë se në epokën e hekurit territori i Shqipërisë banohej nga ilirët, një nga popullsitë e mëdha të Evropës së atëhershme, që shtrihej në gjithë pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Rreth fundit të shekullit XII ose fillimit të shekullit XI para erës sonë në territorin e tyre shfaqen për të parën herë objekte prej hekuri. Futja në përdorim e këtij materiali të ri, që i dha emrin epokës shënon, edhe për ilirët nismën e një periudhe të re historike. Hekuri kishte cilësi të pakrahasueshme ndaj lëndëve të para të njohura deri atëherë për përgatitjen e veglave të punës dhe të armëve. Si i tillë, ai çoi në rritjen e rendimentit në sfera të ndryshme të ekonomisë, në zhvillimin e mëtejshëm të këmbimit, në rritjen e pasurisë shoqërore, në thellimin e diferencimit shoqëror, në formimin e federatave fisnore si forma të organizimit politik. Në tërë përmbajtjen e vet kjo periudhë e historisë së ilirëve karakterizohet, kështu, nga shthurja e plotë e organizimit fisnor dhe nga përgatitja e kushteve për lindjen e skllavopronarisë dhe të shteteve skllavopronare ilire. Ky proces nuk u krye njëlloj në të gjithë territorin e gjerë ilir. Më shpejt përparuan popullsitë që banonin në ultësirën bregdetare dhe në luginat e pllajat me kushte më të mira natyrore, ndërsa më ngadalë ecnin fiset e zonave të thella e të varfra malore.
Njohuritë tona për këtë periudhë mbështeten kryesisht në të dhënat arkeologjike, por këtu vijnë në ndihmë për herë të parë edhe burimet e shkruara historike, të cilat u takojnë kryesisht ilirëve të Jugut.

Shtetet Ilire


Në fundshekullin V p.e.s. ilirët hynë në rrugën e zhvillimit skllavopronar. Në shekujt që pasuan e deri në pushtimin romak krahinat më të përparuara ilire, ato jugore, kryesisht bregdetare, njohën zhvillimin e tyre më të lartë shoqëror e politik të pavarur. Urbanizimi intensiv i kësaj treve dhe zhvillimi që mori, për pasojë, mënyra antike e prodhimit në shek. IV-III p.e.s. çoi në krijimin e një shoqërie antike të mirfilltë dhe në formimin e një vargu shtetesh ilire, të cilat u inkuadruan në qytetërimin e përparuar të botës mesdhetare.
Midis formacioneve shtetërore që u formuan në trevën e gjerë ilire, ai që arriti një shkallë të lartë të zhvillimit politik dhe që luajti një rol të shquar në ngjarjet politike të kohës qe Shteti Ilir apo Mbretëria Ilire. Që nga dukja e këtij shteti emrat ilir dhe Iliri morën, përveç kuptimit të gjerë etnik, edhe një kuptim të ngushtë politik, që u lidhën me fatet historike të këtij formacioni shtetëror dhe të popullsisë së tij, e cila në burimet e shkruara do të njihet me emrin Illyrii propriedictii (ilirë të mirëfilltë). Në kohë të ndryshme Mbretëria Ilire ushtroi pushtetin e vet, natyrisht me luhatjet që i imponuan rrethanat politike, në një territor të gjerë që përfshinte krahinat prej lumit Naretva (Narona) në veri e deri te lumi Vjosa (Aous), në jug me një shtrirje drejt lindjes deri te liqenet Lyhnide në kufi me Maqedoninë dhe më në veri me Mbretërinë Dardane. Në krahinat më jugore ilire u formua një shtet tjetër i rëndësishëm ilir i njohur me emrin Shteti i Epirit, i cili shquhet sidomos në ngjarjet politike të fundit të shek. IV dhe të çerekut të parë të shek. III p.e.s. Në kohën e shtrirjes më të gjerë të tij, ai përfshinte tokat prej lumit Vjosa (Aous) e deri në gjirin e Artës (Nikopolit), duke u kufizuar nga jugu me Akarnaninë, kurse nga lindja me Thesalinë e Maqedonisë.
Në këtë hapësirë kanë ekzistuar si formacione shtetërore të pavarura edhe një varg qytetesh shtete, si Dyrrahu, Apolonia, Ambrakia, historia politike e të cilave u zhvillua herë në lidhje të ngushtë e herë në kundërshtim me atë të Shtetit Ilir dhe të atij të Epirit. Në rrethana të caktuara politike lindin gjithashtu formacione më pak të rëndësishme në formën e lidhjeve qytetare (Koinon), si ajo e Bylinëve etj., që kanë një peshë më të vogël në historinë politike të Ilirisë.
Në krahinat e brendshme jugore dhe qendrore ilire u formuan tri mbretëri të vogla ilire: e paionëve, e dardanëve dhe e athamanëve. E para shfaqet me një shkëlqim të shkurtër në shek. IV p.e.s. për të rënë pastaj shpejt nën goditjet e politikës ekspansioniste të shtetit maqedonas, kurse dy të fundit dalin në arenën politike në shek. III me një rol të parëndësishëm.
Popullsitë ilire të krahinave të brendshme qendrore e veriore nuk njohën deri në fillim të erës sonë një organizim politik shtetëror; edhe në këtë kohë ato arritën të organizohen vetëm në federata fisnore, siç është rasti i dalmatëve ose i fiseve të tjera.

Shteti Ilir Fuqi mesdhetare


Në historiografinë moderne është bërë zakon që shtetin ilir të mesit të shek. III ta quajnë shteti ardian. Studiuesit që e pagëzuan me këtë emër ia atribuojnë formimin e këtij shteti fisit të ardianëve. Sipas tyre, ky fis, i shtyrë nga keltët që vinin nga veriu u bart gjatë shek. IV në bregun e djathtë të Naronës, përballë ishullit Far, në jug të dalmatëve; pa i braktisur këto krahina, aty nga mesi i shek. III p.e.s. në kohën e sundimit të Pleuratit, atit të Agronit, ardianët zbritën gjatë bregdetit deri thellë në jug. Nën goditjet e ardianëve, sipas këtyre studiuesve, ranë mbretëritë e vjetra të enkelejve dhe të taulantëve dhe ardianët u imponuan pushtetin e tyre gjithë fiseve të Ilirisë së Jugut; u krijua kështu një mbretëri e re, shumë më e gjerë sesa të parat, që shtrihej nga kufijtë e Epirit deri përtej Naronës në veri.
Kjo tezë, ndonëse përfaqësonte mendimin më të përhapur, nuk mbeti pa u kundërshtuar. Studiues të tjerë vunë në dyshim rolin e ardianëve në formimin e shtetit dhe u përpoqën që t’i zëvendësonin ata me labeatët, të cilët kishin një pozitë qendrore në mbretëri ndaj asaj periferike të ardianëve. Nuk u pranua gjithashtu origjina ardiane e dinastisë themeluese të Agronit, e cila u kërkua përsëri te labeatët; u vu në dukje me të drejtë, se Agroni njihej si mbret i ardianëve, vetëm te historiani Dion Kasi (Dio Cassius), një burim i vonë i shekullit II të erës sonë, kurse autorë të tjerë, më të hershëm e më të besueshëm, e përmendin si një mbret të ilirëve. Më në fund u përjashtua mundësia e lindjes së këtij shteti, si rrjedhojë e pushtimeve të një fisi dhe u paraqit si krijesë e një grupi sundimtarësh, të cilët bashkuan fise që kishin interesa të përbashkëta dhe lidhje afërsie me dinastinë pushtuese.
Me gjithë ndryshimet që paraqesin pikëpamjet e shqyrtuara, ato bashkohen në vështrimin që i bëjnë thelbit të çështjes: formacioni politik për të cilin bëhet fjalë paraqitet si një shtet fisnor dhe si një vepër personale e një sundimtari, qoftë ky Pleurati apo i biri i tij, Agroni. Teza mbi zhdukjen pas vitit 270 të mbretërisë së enkelejve dhe të taulantëve dhe formimi rreth mesit të shek. III p.e.s. i një mbretërie ardiane shumë më të gjerë e më të fuqishme se të parat paraqitet sot si një trajtesë mekanike. Me të drejtë është vënë në dukje se kësaj teze i mungon argumentimi historik dhe se e ashtuquajtura mbretëri e enkelejve është një krijesë e historiografisë moderne.
Nga ana tjetër, shteti ilir i mesit të shek. III shihet si një dukuri krejt e re në botën ilire. Sipas autorëve të kësaj pikëpamjeje ilirët nuk njihnin më parë veçse një rend fisnor dhe vetëm pas mesit të shek. III u krijua ky “entitet politik krejtësisht i ri”. Analiza objektive e burimeve tregon se mbretëria e Agronit është trashëgimtare e drejtpërdrejtë e shtetit të mëparshëm ilir, pa asnjë ndërprerje në traditën e vet politike. Qendra e këtij shteti ka qenë më në jug se sa pranohet dhe bërthamën e tij kryesore e përbënin tokat e shtetit të vjetër ilir, të cilat gjatë konfliktit me Romën u bënë teatri i veprimeve më të rëndësishme ushtarake. Ardianët banonin gjithashtu më në jug; sipas autorëve antikë ata nuk janë veçse një nga popullsitë e rëndësishme që bënin pjesë në shtetin ilir dhe nuk u njihet ndonjë rol i veçantë në formimin e mbretërisë së Agronit. Përfshirja e tyre në përbërjen e shtetit ilir ndodhi, sikurse është vënë në dukje me të drejtë, në drejtim të kundërt nga ai i pranuar, nëpërmjet shtrirjes së këtij shteti në veri. Burimet tregojnë qartë se banorët e këtij shteti quhen si më parë “ilirë”, vendi “Iliri” dhe sundimtarët “mbretër ilirë”.
Meqë në jetën politike të shtetit ilir nuk ka pasur asnjë ndërprerje, dinastia e Agronit duhet të ketë qenë e re dhe me origjinë veriore. Midis asaj dhe sundimtarëve të mëparshëm nuk ka pasur asnjë lidhje. Ka të ngjarë që në mesin e shek. III p.e.s. ose pak më parë, shteti ilir të ketë njohur një periudhë trazirash të brendshme, hollësitë e të cilave nuk i dimë. Nuk është çudi që zhvillimi i vrullshëm i qyteteve të Veriut, të mbetura jashtë konflikteve luftarake që prekën pjesën jugore të shtetit ilir bashkë me qytetet e tij, të ketë ndryshuar raportin e forcave dhe të ketë ndikuar apo të jetë bërë bazë e ndryshimeve politike që pasqyrohen vetëm në ndryshimin e dinastisë sunduese dhe në shkëputjen e dy qyteteve të rëndësishme të Adriatikut Lindor, Dyrrahut e Apolonisë, nga shteti ilir.
Historia e 60 vjetëve të fundit (231-168 p.e.s.) të shtetit ilir është kryesisht historia e luftërave me Romën. Ngjarjet që u zhvilluan në prag të këtyre luftërave janë vetëm një prelud i tyre. Megjithatë këto janë një dëshmi e rëndësishme për vendin që zinte ky shtet midis fuqive të tjera të Ballkanit dhe për rolin e tij historik në ngjarjet politike të kohës.
Burimi më i rëndësishëm për këto luftëra është vepra e historianit grek Polibi. Por, kjo vepër e shek. II p.e.s., që përfaqëson një histori të përgjithshme, përshkohet nga një tendenciozitet dhe subjektivizëm i theksuar, ku nuk fshihet simpatia ndaj Romës. Historia e ilirëve, ashtu sikurse në përgjithësi historia e kundërshtarëve politikë të Romës, paraqitet e shtrembëruar. Qëllimi kryesor i Polibit është të justifikojë në këtë vepër pushtimet romake, të cilat i quan të drejta, të nevojshme dhe të dëshirueshme nga popullsitë vendase. Për Polibin këto pushtime ishin të pashmangshme, sepse “fati i kishte caktuar Romës misionin të sundojë botën”. Një pjesë e burimeve që ka përdorur Polibi vjen nga historiani më i lashtë romak Fabi Piktor dhe, sipas një mendimi të përgjithshëm, ka karakter thjesht propagandistik.
Burimet e tjera për këtë periudhë, duke qenë nën ndikimin e një tradite të korruptuar rëndë paraqiten më të pasakta. Kjo vihet re në radhë të parë tek Livi, i cili i kushton më tepër vëmendje efektit retorik e moralizues sesa të vërtetës historike. Për hir të paraqitjes së bukur dhe tërheqëse të ngjarjeve, ai shpeshherë sakrifikon këtë të vërtetë. Tregimet e tij janë të veshura me petkun moralizues dhe në mjaft raste me hollësi fantastike. Shumë të pasigurta janë edhe njoftimet e shkrimtarëve të tjerë, Dion Kasi e Apiani, që përfaqësojnë ritransmetime të cunguara, dhe më tepër të pasakta të tradicionit të vjetër.

No comments:

Post a Comment